Ku janë malet rrokë me re

Malit të thethit naltësinat, ku janë malet rrokë me re…
Kështu pati shkruar nga fillimet e shekullit të kaluar poeti Risto Siliqi kur portretizonte burrin e shquar Mehmet Shpendi, që siç shkruan Edith Durham, për të Shala ishte gjithçka. Dëshira për të shkuar në Theth është e përhershme për çdo njeri që ka qoftë edhe vetem një herë, por edhe pë rata që kanë lexuar sadopak për të. Për banorët e ish banorët e tij nuk mund të përshkruhet, sa që edhe ëndrrat i shikojnë vetem aty, pavarsisht ku banojnë sot. 
       Bletërritsit
Kush do të shkojë në Theth, dëgjohet zëri i një shoferi, ndërsa ne ne sapo kishim
arritur në të dalë të Shkodrëa për këtë qëllim. Eshtë Rifati, një burrë rreth të 40-tave mesatar nga trupi, por “xherfexhil” siç i thotë populli, i qeshur dhe njaftë i shkathtë në timon. Unë me kushëririn tim, Gjokën, të ulur pranë e pranë dhe me disa udhëtarë të tjerë nisemi për rrugë, ndërsa shoferi filloi të bisedonte. Me Gjokën për bletët. S’ka vend më të mirë se Thethi për bletët, thotë Gjoka. Ashtu është, përgjigjet Rifati, megjithëse këtë vit ka ra shumë shi.       Në Grizhe hipën edhe një pasagjer me emrin Daut. Nga përfshirja e menjëhershme në bised për bletët e kuptuam se ishte bletërritës dhe se po shkonte në Theth për të parë bletët.
Gjithë rruga na shkoi me bletë, lule, mjaltë, qumsht blete, sëmundjet dhe dëmtuesit e tyre. Edhe ne pasagjerët e tjerë, u përfshim në këto diskutime, e nganëherë edhe duke i ngacmuar bletërritsit por pa të keqë.
Duke njohur vlerat e bimësisë së Thethit e pyes Gjokën se sa zgjoi bletësh kanë qarkulluar këtë vit në Theth. Pasi mendohet për një çast thotë: Se janë mbi 700 copë zgjoi është e sigurt se kanë qarkulluar këtë verë ose janë edhe tash.
Furgoni ecte duke gjarpëruar në rrugën e rrethuar me gjelbërim, kasetefoni I të cilit lëshonte një melodi popullore e mendja më shkonte te vlerat e këtij mjalti, pa përmendur të tjerat, që këto bletë e mblidhnin deri në kullotat alpine. Kur arritëm në Theth pamë “ulanikë”, “vathë” ose siç quhen në mënyrë më të moderuar “parqe bletësh” në të lagjet e fshatit.
          Vera gjallon….
Në Gjeçaj pushojmë. Pimë një kafe në një lokal të thjeshtë por të pastër. Ish nxënsi im, Toma, na shërben me respekt. Eshtë një ndërtes një katshe e mbuluar sipas stilit alpin në oborrin e të cilës fëshfërijn gjethet e plepave të egër dhe të ahut. Pastërtia dhe freskia të bën të pangopshëm me ajër. Më tej pishat me bredhat ja shtojnë bukurinë kësaj pike. Nga këtu kundrohet gjithë fshati dhe nuk është zorë të dallosh se ka gjallëri, oxhakë që tymojnë, zëra fëmijësh, antena televizorësh deri edhe shumë satelitore etje. Gjoni, kryeplaku i fshatit, na tregon se në këtë verë kanë ardhur mbi 80 familje nga qyteti dhe zonat fushore ish banorë të fshatit, kanë punuar tokën, janë kujdesur për pemët, shumë kanë edhe bagëti. Duhet thënë se edhe mjaftë qytetarë dhe nga zonat fushore, të huaj, gazetarë, fotorepoter, studiues etje. Kanë qënë këtë verë me pushime ose si kalimtarë në këtë fshat. E shikon atë shtëpin atje dhe tregon me dorë një shtëpi jo të madhe në mes të livadhit që quhet ferrza dhe e rrethua me pemë. Martin Pashko Gjeçaj megjithse banon në Shkodër e ka bërë posaçërisht për pushues me komoditete mjaft të mira. Të tilla ka disa në Theth, vazhdon ai. Ndërsa ne bisedonim ashtu në këmbë duke ecur ngadalë na gjendet përpara Vuksan Marku mbi 80 vjeç. Në ballin e tij rrudhat janë gjurmët e jetës, por ennergjik dhe i mbajtur nga shëndeti, me hapin sikur shkel mbi susta.
Kam dalë këtu qysh në prill, sapo është shkerirë bora – thotë ai. Këtu me çelet fryma, këtu më lehtësohet trupi. Dimrin e kalova në fushë por verën e kaloj veç këtu, se këtu jam lindur, jam rritur dhe plakur. Kam një jetë këtu. U them djemve të mi, Lekës dhe Ndojës, që kurrë të mos e lënë pas dore këtë vend se nuk do ta gjejnë askund. Po nuk u kujdesen qysh tash, kur të kujtohen ka me kën vonë – thotë Vuksani dhe vështrimin e hedhë diku largë si për t’ju shmangur syve tanë për shkak të ndonjë skuqjeje sysh që mundë ta tradhtojnë.
          Një fërlik në Breg të Bubës
Gjelaj është një Lgje e fshatit Theth e vendosur në anën e majtë të lumit në lartësinë rreth 900 m mbi det. Janë 18 shtëpi dykatëshë dhe 4 njëkatshe, të gjitha të mbuluara sipas stilit alpin dhe mjaft afër njëra-tjetrës. Makina na ngjit deri në lagje.
Të gjithë banorët e kësaj lagjeje kanë ndërtuar në qytet ose zona fushore por shumica e kalojnë verën këtu. Mark Nika me familjen e tij është njëra prej tyre. Në shtëpin e tij shikon televizionin, magnetefonin, antenen satelitore etje. E si këtu po me pak ndryshime shikon te Pal Tula, Lekë Simoni, Mark Marashi, Martin Kola, Prelë Marku etje. Duke u ngjitur nga kjo lagje në drejtim të qafës së Valbonës, atje në lartësin 1200 – 1300 m. mbi det gjendesh në Breg të Bubës. Këtu janë rreth 70 ha. livadhe shumë të bukura, një perlë e vërtet me katër burime të papëritshëm, që janë kroni i ligatës, kroni i orrnicës, kroni i myshkës dhe kroni i hasës. Lisna, bari dhe lulet e tjera shumëngjyrshe i japin një bukuri te rradhë, por me një aromë kaq të këndshme që vetem këtu mund ta shijosh.
Një grup bashkëfshatarësh kishin organizuar një drek në këto livadhe. Kjo praktikë ka vite që ka filluar por edhe këtë vit nuk e kishin lënë në harresë. Nuk na kishin harruar as ne që jemi larguar fizikisht dhe nuk banojmë këtu. Rrëzë një ahu në lug të Krysë fillon të sillet ferliku. Grafiku për rrotullimin e tij zbatohet rregullisht. Aty afër një grup luajnë futboll. Nga dëshira për të bërë gol, Toma gjuan fort por topi bie befasisht në kokën e Gjokës që po rrotullonte fërlikun. Për një moment harron që fërkon kokën, sa që gati e dogji, por shpejt kujtohet. Disa të tjerë kundrojnë pamjet e bukura që nga Thepi i Kresë e dikush e kalëron me dy kuaj që ishin marrë qëllimisht për këtë punë. E dinë vetem ata se çfarë kanë hequr atë ditë. Në hijen e një mrizi, Martini copëton fërlikun. Dreka kalon shumë e këndshme. Aty pranë e pranë ndodhen kamra, fërliku, aparati fotografik, birra dhe uji i ftohtë, aroma e luleve, freskia e bjeshkës, cicërimat e zogjve e gurgullimat e kronit, biseda shoqërore, humori i këndshem, putirat dhe kënga maja krahu etje. Këto të bëjnë të largohesh me dëshirën e pakundërshtueshme për t’u kthyer përsëri.
          Biseda me emigrantët….
Me ne janë edhe dy emigrantë që punojnë në Itali. Të dy punojnë bashkë në shfrytëzimin pyjor. Janë Sokol Pali dhe Gëzim Shkëmbi, kanë ardhur për pushime.
Duke ecur nëpër livadhin e Gjergj Prelës, në Luk të Oksetit më drejtohet:
I shikon këto pyje ahu, mësues. Tash është bërë burrë e ka marrë rrugën e botës, por dikur e kam patur nxënës e përsëri ka dëshir të më drejtohet kështu.
Po – i them unë.
Si këto shfrytëzohen atje ku punojmë ne, por me mjegull, këto e kanë mbaruar rritjen, këto vetëm vdesin tash – thotë aid he bën me dorë duke treguar Shkafen, Lugun e Oksetit, Breishtën, Berbatin, Ziçin, Qukun e Bythdosës etje… rreth 1000 ha. pyje ahu.
Nuk kërkon shumë shpenzime, ndërhynë Sokoli, rruga e makinës nuk është edhe aq e vështirë, derisa të fillojë shfrytëzimi se pastaj bëhet pjesë – pjesë sipas varianteve. A nuk do të ishte mirë që shteti të gjente formën për të ndihmuar për shfrytëzimin e këtyre pyjeve që e kanë përfunduar rritjen dhe jetojnë kohët e fundit të jetës së tyre, këtu ka punë për shum vite, për shumë punëtorë, nuk shkretohet vendi, rriten të ardhurat, rritet mirëqënia.
          Buzëmbrëmje alpine
Ndërsa dielli fshihej prapa maleve e majat e tyre marrin ngjyrën e artë ne zbresim për në fshat të lodhur, port ë qeshur e këndshëm me njëri – tjetri, në mëndje më vjen vajza ime, Rrezarta. Ajo është rritur dhe martuar, por ka vite që nuk e kam takuar pasi është ne emigracion. Kur ishte e vogël pasi pa që dielli u fut prapa malit, pyeti mamin e sajë:
Mami ku shkoj dielli ?
Shkoi për të fjetur i përgjigjet e jëma.
Ajo largohet duke luajtur, por pas pak vjen përsëri dhe me çiltërsin fëmijnore pyet përsëri:
Po jorganin a e djeg ?
Ne edhe qeshëm edhe menduam për kureshtien e saj.
Kështu kaloi kjo ditë mbresëlënse, dielli shkoi prapa maleve, për t’u kthyer përsëri ditën tjetër, ndoshta një ditë më të mirë. Me siguri një ditë më e mirë.
Natën e mirë Thethi im.


Verë 2002

Marrë nga libri “Dukagjini ka vend për të gjithë”.
Luigj Shyti  

No comments:

Post a Comment