Mes banorëve mikpritës të Thethit këtë fundshtatori !


Qafa e Thores është pika më e lartë, në të cilën ngjitet një rrugë automobilistike në vendin tonë. Aty ku makina lë pas krahinën e Malësisë së Madhe për të nisur rrugëtimin nëpër Dukagjin, harta e veriut të Shqipërisë zbret mes malesh dhe legjendat ndjehen më afër se asnjëherë. Kemi lënë pas Shkrelin dhe fshatrat e tij dhe jemi 1700 metra mbi nivelin e detit.
"Ato janë majat e Ogradës, maja e Hekurave duket më pak prej këtej; përtej ajo e
Radohimës dhe maja e Arapit, e mes tyre gryka e Pejës, qafa e Valbonës dhe shtegu i Dhive". Tonini që
na tregon me dorë malet që na rrethojnë, është 22 vjeç dhe po zbret me furgon në Shalë, atje ku ka shtëpinë e prindërve. Shumë prej shaljanëve kanë "zbritur" në Tiranë dhe në Shkodër, por në verë ata kthehen për punët e stinës.
Jemi nisur dy orë më parë nga Shkodra për në Theth dhe pas pushimit të parë në Bogë furgoni ka ndaluar përsëri pranë bustit të Edit Durhamit, "kralicës së Malcisë" siç shkruhet kushtimi në gur "nga populli i Shalës".
Emrin e gazetares britanike që e lidhi një pjesë të jetës së saj me njerëzit dhe shkrepat e këtyre anëve do ta dëgjojmë shpesh gjatë udhëtimit nëpër "bajraqet" e Dukagjinit, ku edhe këto ditë fundshtatori gjen vizitorë vendas dhe të huaj.
Furgoni herë pas here futet në "tunelet" mes pishave dhe aheve, fletët e të cilave tani kanë të gjitha ngjyrat e vjeshtës. Dy antena të mëdha mbi "Varrin e Trieçit", siç e quajnë malësorët këtë vend, rikthejnë në celularët sinjalin e munguar telefonik.
"Tani gjithçka e kryejmë me telefona, thotë për ATSH-në Gjetani, shoferi i furgonit që luan edhe rolin e guidës. Ndërsa në sfondin e maleve duken shtëpitë e parë të Thethit bashkëudhëtarët tanë gjallërohen përsëri. Kalojmë pranë godinave të ish-kampit të punëtorëve, të cilat kanë nisur ti riparojnë përsëri. "Këtu ishte "trani", thotë për postbllokun e dikurshëm të policisë Gjetani. Askush nuk kalonte dot pa pasaportën dhe lejen e Degës së Brendshme, as edhe pushuesit, shton më tej ai.
200 metra më poshtë, tre të huaj që ngjiten me biçikleta në drejtim të kundërt me furgonin tonë na rikthejnë në ditët e sotme. Përshëndetemi me ta si të njohur të vjetër, ndërsa në një livadh pak më tej disa motoçiklistë po pushojnë para se të vazhdojnë të përpjetën. Duket se vizitorët e huaj në këmbë apo me mjete qofshin këta nuk habisin më askend.
"Nuk ka vend si Thethi, thotë Mëhill Marku, i cili ka nisur të drejtojë grupe të vogla turistike që në vitin 1992. Këtu bëhet gjithçka nga rrushi e kumbulla te arra e molla; nga kollomoqi te grosha. Pastaj shton sikur do të na sigurojë që përjashtimi vërteton rregullin:-Vetëm fiku nuk bëhet!.
Kur ndeshim oborret e para në Fushë Theth na bëjnë përshtypje tabelat e vogla standarde me të dhënat e shtëpive bujtina që presin mysafirë. Prek Harusha ofron mikpritje me katër dhoma e 12 shtretër, ndërsa në një cep shkruhet edhe numri i banjove. Edhe në oborrin e shtëpisë së vëllait të tij, Gjergjit, disa të huaj të tjerë bëjnë gati çadrat ku duket se do të kalojnë natën.
"Programi gjerman i GTZ para disa vjetësh mori në patronazh shtatë shtëpi dhe u kujdes veçanërisht që banjot të rindërtoheshin brenda kullave të vjetra që ofroheshin si banesa pushimi për vendasit dhe të huajt", thotë Gjetani, i cili tashmë ka hyrë me furgon në oborrin e Ndoc Gjeçaj. Këtu te Ndoci do të gjeni edhe dredhëza-qesh ai duke na treguar shenjën e luleshtrydhes në tabelën e mikpritjes. "Do t'ju nxjerr lëng luleshtrydhe", na jep mirëseardhjen Lula, e zonja e shtëpisë.
Lemë çantat në dhomën e rregulluar me kujdes dhe pas pak harrojmë krejtësisht që matanë maleve ndodhen qytetet me "rrëmujën dhe rrëmetin", siç shkruan Naim Frashëri. Shëtitjet tona nëpër Parkun Kombëtar lehtësohen nga shenjat drejtuese të vizatuara me bojë mbi gurët dhe tabelat orientuese të shkruara më së shumti mbi gurë. Ja, nëse merr drejtimin e kishës së rindërtuar nga "djemtë e Thethit që jetojnë në SHBA" mund të vijosh duke parë edhe Muzeun Etnografik që është vendosur prej vitesh në një banesë që ka shfrytëzuar si faqe muri një shkëmb të lartë.
Mjafton të kalosh nga oborri në oborr me shkallët prej druri, që lehtësojnë kalimin e mysafirëve, por pengojnë lëvizjen e bagëtive për t'u gjendur para kullës së ngujimit, një nga banesat më të vizituara të Thethit.
Një grup tjetër prej 6-7 vetësh kanë ndjekur një shteg tjetër më të vështirë për në kanionet e Grunasit dhe në ujvarën pranë tyre. "Po të qëndroni edhe nesër mund të shikoni "Syrin e kaltër" në Ndërlysë, gati një orë e gjysëm në këmbë larg, na thotë një nga nxënësit e shkollës që sapo ka dalë nga mësimi. Shohim me zili disa të rinj polakë që po kthehen entuziastë nga shëtitja në burimet e "syrit".
Në oborrin e shtëpisë, Ndoci punon me një karrocë dore për të sistemuar edhe një apartament të vogël "papafingo" nën çatinë e re prej llamarine të pjerrët. Ndërsa në tavolinën e shtruar për merak nga e zonja e shtëpisë gjejmë që na presin edhe një çift të huajsh, bujtës si ne në të njëjtën shtëpi.
Banojnë dhe punojnë në Bruksel, megjithëse Zhenevieva është nga Franca, ndërsa Dakleni nga Irlanda. Kanë mbërritur dy ditë më parë dhe për ta Thethi është një përvojë e mrekullueshme. Tava me specat e mbushur dhe mishin e pjekur, sallatat turshi dhe ato me domate e kastraveca të freskët, djathi, salca e kosit dhe byreku me kungull e me sheqer, mjalti dhe reçelet, e mbi të gjitha rakia e kumbullës janë që të gjitha "prodhime shtëpie".
Biseda ndizet dhe megjithëse llampa elektrike mbi kokat tona duket sikur fiket shpesh herë nga tensioni i ulët, të gjithë kanë nga një pyetje për Lulën, të zonjën e shtëpisë. Dhe ajo përgjigjet thjeshtë, ndërsa sjell herë pas here bukën e ngrohtë të gatuar në "magjen e mikpritjes".

Shtator 2010
Nga Gezim Kabashi ATSH

No comments:

Post a Comment